Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se rritja e menjëhershme e pagës minimale në 500 euro, siç po pretendon Qeveria në detyrë, rrezikon bizneset, madje mund të çojë edhe deri në mbyllje të tyre.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shahini tha se ky rrezik mund të vie pasi që nuk ka një analizë të thellë ekonomike, dhe se madje vendime të këtij formati nuk mund të merren nga një Qeveri në detyrë.
Sipas tij, një veprim i tillë do të mund të rrisë informalitetin dhe të vështirësojë gjendjen e bizneseve, të cilat tashmë po përballen me krizë ekonomike dhe përjashtime nga mekanizmat ndërkombëtarë financiarë.




