Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka refuzuar pretendimet e opozitës lidhur me ndryshimin e rendit të ditës në seancën konstituive që dështoi sërish. Ajo theksoi se çdo veprim është zhvilluar në përputhje me rregulloren e Kuvendit.
“Pretendimet se është ndryshuar rendi i ditës nuk janë të vërteta. Kryesuesi i seancës ka vepruar saktësisht sipas rregullores së Kuvendit dhe nuk është bërë asnjë ndryshim në rendin e ditës. Edhe vendimi i gjykatës e konfirmon këtë,” deklaroi Haxhiu.
Gjithashtu, ajo iu përgjigj akuzave se mungonte mocioni procedural për votimin e fshehtë, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar se votimi duhet të jetë i hapur apo fshehtë. Propozimi për formimin e Komisionit, sipas saj, është bërë në përputhje me praktikat parlamentare.
“Mocioni për votim të fshehtë nuk është domosdoshmëri, pasi Kushtetuta nuk specifikon mënyrën e votimit. Në seancën e 35-të, kryesuesi ka propozuar formimin e Komisionit, ndërsa opozita ka marrë pjesë duke mos votuar për asnjë propozim,” shtoi ajo.
Haxhiu kritikoi edhe sjelljen e opozitës gjatë seancës, duke theksuar se në seancat konstituive nuk lejohet debat, megjithëse disa deputetë kanë folur shpesh gjatë mbledhjes.
“Në seancën konstituive nuk është lejuar debat, por përsëri disa deputetë kanë marrë fjalën disa herë,” përfundoi ajo.




