Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke i akuzuar për papërgjegjësi dhe për bllokimin e qëllimshëm të funksionimit të institucioneve.
Sipas Reçicës, Vetëvendosje dhe lideri i saj nuk po ndërmarrin asnjë hap konkret për të dalë nga kriza aktuale institucionale. Ai theksoi se pozicioni i PDK-së në këtë çështje mbetet i pandryshuar.
“Ky është një veprim i papërgjegjshëm nga ana e VV-së dhe Kurtit. Ata nuk po kontribuojnë aspak në zhbllokimin e situatës së krijuar”, deklaroi Reçica.
Deputeti opozitar shtoi se refuzimi i Kurtit për të ndryshuar kandidaten për kryetare të Kuvendit është tregues i mungesës së mbështetjes për formimin e Qeverisë.
“Kurti është në vështirësi – nuk i ka votat për kryeministër, prandaj nuk e ndryshon kandidaten. Po ashtu, është për të theksuar se ai ka denoncuar edhe liderët që sot ndodhen në Hagë (Thaçi dhe të tjerët), të cilët sipas tij po ushtrojnë ndikim në politikën e brendshme”, tha Reçica.
Ai përfundoi duke thënë se Kosova gjendet në një krizë të thellë, e cila nuk kufizohet vetëm në nivelin politik dhe institucional, por që prek edhe dimensionin personal të kryeministrit në detyrë.
“Kjo është një dëshmi se Kurti po përjeton një krizë të thellë – jo vetëm politike dhe institucionale, por edhe personale”, përfundoi ai.




