Senati i SHBA-së ka hapur rrugën për t’i dhënë fund bllokimit të qeverisë, pjesërisht falë votave të disa demokratëve. Tani, pakënaqësia po zien dhe partia përballet me një provë vendimtare.
Shtetet e Virxhinias, Nevadës dhe Nju Hempshajrit janë goditur veçanërisht rëndë nga mbyllja e qeverisë amerikane: qindra mijëra punonjës federalë jetojnë atje dhe kanë kaluar 41 ditë pa pagesë.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që senatorët e tyre ishin të parët që lëshuan pe në mosmarrëveshjen për mbylljen e qeverisë amerikane. Midis tyre është Tim Kaine i Virxhinias, i cili tani duhet të dëgjojë ankesat e kolegëve të tij të opozitës. Në këmbim, punonjësit federalë në Virxhinia mund të kthehen në punë, argumenton Kaine në një intervistë me CNN. Dhe ata nuk kanë më nevojë të jetojnë me frikë të vazhdueshme se mos pushohen papritur nga puna nga administrata Trump.




