Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se ka dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut.
Sipas tij, Mitrovica duhet të shkojë në rivotim për shkak se faktet janë “kokëforta”, duke listuar disa prej tyre, që sipas tij, ndodhën vetëm në këtë qytet.
Krasniqi thotë se Exitpollet nuk u përputhën me rezultatet zyrtare, pjesëmarrja e votuesve ishte më e lartë se në raundin e parë, kandidati nga PDK, Arian Tahiri mori më pak vota se në raundin e parë dhe u gjetën fletëvotime të gabuara që nuk u përkasin vendvotimeve.
Ai shton se edhe menaxhimi institucional ka qenë i papranueshëm sepse KQZ e shpalli si gabim teknik pa ndonjë hetim paraprak, kompania që shtypi fletëvotimet e mori përgjegjësinë brenda pak orësh pa asnjë verifikim serioz dhe Prokuroria u mjaftua vetëm me deklarata të kompanisë së shtypjes.
Krasniqi në fund thotë se Mitrovica duhet të shkojë në rivotim për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe demokracinë dhe nëse e pranojmë këtë si “gabim teknik”, nesër asgjë s’do të garantojë që vota vlen.





