Michael Durkee, ish-këshilltar i Wesley Clark, ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.
Para Dhomave të Specializuara të gjykatës atje, ai u paraqit për herë të parë pasditen e së mërkurës ndërsa të enjten u rikthye sërish për të folur për kohën e pasluftës në Kosovë.
Durkee tha të mërkurën se në kohën kur kishte ndodhur takimi mes tyre dhe Hashim Thaçit në mars ose prill të 1999-ës në Mons të Belgjikës, nuk e dinin se cilat ishin kapacitetet e UÇK-së.
Tutje, ai tha se UÇK-ja nuk kishte një strukturë solide të konsoliduar komande, “që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra që më pas do të çonin në veprime apo operacione të caktuara në terren”.
Ndër të tjera, Durkee tha se shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës, ndiheshin se ishin tradhtuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta.




