Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të enjten në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave.
KQZ përmes një njoftimi ka bërë të ditur se gjatë ditës së martë dhe të mërkurë, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, janë tërhequr më shumë se 13,084 pako të tilla.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë ditës së enjte, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar punën Komisioni i themeluar nga KQZ për vlerësimin e fletëvotimeve për zgjedhjet e raundit të dytë për Kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. “Planifikohet që ky Komision të përgatisë një raport deri më 14 nëntor. Ndërkaq, për komunat tjera ky vlerësim do të bëhet sipas mostrës së caktuar dhe raporti do të finalizohet deri në fund të javës”, ka njoftuar KQZ.
Tutje theksohet se puna e këtij komisioni do të jetë në funksion edhe të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me një ankesë të parashtruar për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, por njëkohësisht edhe të sqarimit të mëtejshëm të situatës së krijuar.




