Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Politico” ka kritikuar Bashkimin Evropian, meqë sipas saj Brukseli zyrtar duket se nuk e sheh dhe nuk e ndjenë progresin që ka bërë Kosova.
Ajo ka thënë se Kosova nuk bën flirt me vende të tjera e fuqi keqdashëse si Rusia, Kina e Irani, të cilat i quan edhe si “trekëndëshi i së keqes”, por në të njëjtën kohë ndjen se puna s’po i vlerësohet.
Presidentja Osmani ka thënë se rruga integruese e Kosovës mbetet e bllokuar dhe sipas saj, procesi i bazuar në merita, për të cilin BE-ja flet aq shumë, ende s’po shihet në praktikë.
Ajo ka përmendur edhe faktin që BE ende s’e ka shqyrtuar aplikacionin e Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat, duke thënë se ai s’është shqyrtuar dhe se ndodhet diku në sirtarët e BE-së.




