Bazuar në monitorimin e gjerë të rreth 400 rasteve, të plotësuar me intervista, analizë të dhënave dhe angazhim të ngushtë me policinë, prokurorinë, gjyqësorin, avokatët dhe shoqërinë civile, raporti e thekson progresin e arritur, së bashku me fushat ku nevojiten përpjekje shtesë për ta promovuar harmonizimin e mëtejshëm me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut, sigurinë ligjore dhe besimin e publikut në institucionet e drejtësisë.
Në fjalën e tij hyrëse, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, i falënderoi homologët e Misionit nga fusha e Sundimit të Ligjit për bashkëpunimin dhe transparencën e tyre, duke theksuar se raporti e pasqyron vizionin më të gjerë të BE-së ku pronësia vendase është themeli për reforma të qëndrueshme dhe e ritheksoi përkushtimin e EULEX-it për ta mbështetur Kosovën, institucionet dhe qytetarët e saj.
Gjatë fjalimit në emër të Ministrit të Drejtësisë në detyrë, Sallahu, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, theksoi se Raporti përbën një mjet të rëndësishëm dhe në kohën e duhur për të udhëhequr më tej reformat në drejtësi, duke e ripohuar përkushtimin e Kosovës drejt një sistemi drejtësie të pavarur, profesional, të përgjegjshëm dhe efikas.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, U.D. Kryeprokuror i Shtetit Besim Kelmendi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, Prokurori i Shtetit dhe anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Milot Krasniqi, së bashku me Zëvendës-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Janković, komentuan mbi gjetjet kryesore të raportit, të prezantuar nga Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, duke e pranuar rëndësinë e raportit të EULEX-it si një udhërrëfyes i besueshëm dhe i bazuar në fakte për identifikimin e boshllëqeve dhe për të ofruar rekomandime për ndarje të drejtësisë efektive dhe të bazuar në të drejtat e njeriut.
Gjatë një bashkëbisedimi të moderuar nga Zëvendës-Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, pjesëmarrësit shkëmbyen vlerësime mbi përpjekjet e nevojshme për të siguruar zbatimin e saktë, konsekuent dhe të drejtë të kornizës ligjore në fusha të ndryshme, duke përfshirë dhunën në baza gjinore, me një fokus të fortë në drejtësinë miqësore për fëmijët.





