Dështimi i dyfishtë i Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar 61 vota për votimin e qeverisë së re, ka bërë që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të marrë vendim për shpërbërjen e Kuvendit dhe për caktimin e 28 dhjetorit si datë për zgjedhjet e parakohshme.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga Komisioni Evropian kanë thënë se Brukseli është në dijeni për dështimin e seancës së dytë për votimin e të mandatuarit për kryeministër dhe se shpreh keqardhje që partitë politike nuk e kapërcyen bllokadën politike disa mujore pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit.
Ata kanë përmendur edhe dështimin për të miratuar në Kuvendin e Kosovës planin e Reformës dhe të Rritjes që do t’i siguronte miliona euro Kosovës dhe gjithashtu kanë shprehur shqetësimin për gjendjen në RTK të krijuar si rezultat i bllokadës politike.
Në fund, nga Brukseli zyrtar thonë se presin që Kosova të kthehet në rrugën e duhur, duke punuar për reforma në të mirë të popullatës dhe përparuar në procesin e normalizimit me Serbinë.




