Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, që kërkonte të ketë përsëritje të votimit të balotazhit për kryetar të Mitrovicës.
Fillimisht PDK ishte ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me dyshimin që kishte parregullsi në Mitrovicë duke filluar nga fletëvotimet e përziera deri te problemi me numrat serik në fletëvotime, mirëpo PZAP e kishte refuzuar ankesën si të pabazuar, duke thënë se ankuesi nuk ka prezantuar prova për të dëshmuar parregullsitë.
Pas kësaj, PDK-ja u ankua në instancën më të lartë, atë të Gjykatës Supreme duke kërkuar që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që brenda afatit të caktuar ligjor të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës, por Supremja ka njoftuar se e ka refuzuar ankesën duke e bazuar qëndrimin e PZAP-së.




