Gjykata Supreme ka udhëzuar Panelin Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtesave që të urdhërojë rinumërimin në vendvotimet për të cilat ka pasë vërejtje nga ankuesi.
Supremja ka vlerësuar se duhet të bëhet rinumërimi i votave në Komunën e Drenasit,Istogut dhe Mitrovicës.
Në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.122/2025, është refuzuar si e pathemeltë ankesa e parashtruar nga subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.439/2025, të datës 14.11.2025.
Në rastin e dytë me numër lënde AA.nr.121/2025, është refuzuar si e pabazuar ankesa e parashtruar nga Labinot Halilaj, kandidat për asamblist në Komunën e Gllogocit, nga Subjekti Politik Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin, (PDKRLL), paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.440/2025 të datës 14.11.2025.
Në rastin e tretë, me numër lënde A.A.nr.120/2025, është pranuar si e bazuar ankesa e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi, nga subjekti politik: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.389-2/2025, të datës 14.11.2025 dhe çështja i kthehet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në rivendosje.
Në vendim Supremja thotë se është e domosdoshme që të vërtetohet rezultati i saktë i zgjedhjeve.
“Për pasojë, Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të vërtetuar rezultatin e saktë të zgjedhjeve dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në rivendosje, PZAP, udhëzohet që të shqyrtojë edhe njëherë udhëzimet e dhëna nga kjo gjykatë, pretendimet ankimore të ankuesit, provat e deponuara dhe të procedojë tutje në hetimin e këtyre pretendimeve përkatëse që të sigurojë që mos të cenohet integriteti i procesit zgjedhor dhe secila votë të shkojë në destinimin e synuar dhe mos të ketë devijim të vullnetit të qytetarëve”, thuhet mes tjerash në vendim.




