Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në nderim të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Basha e ka cilësuar 28 nëntorin si një frymë që mban shqiptarët bashkë dhe si një kujtim të sakrificave shekullore të brezave që jetuan, punuan e ranë për çlirim dhe bashkim të trojeve shqiptare.
Basha ka theksuar gjithashtu se më shumë se kurrë ndjehet detyrimi institucional, moral dhe kombëtar për të ruajtur këtë trashëgimi, për të forcuar bashkëpunimin mes shqiptarëve kudo që jetojnë dhe për të qëndruar bashkë përballë çdo sfide. Ai ka shtuar se bashkimi i shqiptarëve është forca më e madhe që kanë dhe se e ardhmja ndërtohet mbi këtë premisë që ka shënuar fitoret përgjatë historisë së kombit.





