Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar sot 113-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), duke theksuar rolin thelbësor të tyre në mbrojtjen e vendit dhe sigurinë kolektive.
Në një postim në Facebook, Presidenti Begaj vlerësoi kontributin dhe sakrificat e brezave të efektivëve që, sipas tij, me “atdhedashuri, besnikëri dhe disiplinë” i kanë shërbyer vendit për më shumë se një shekull.
Ai theksoi se Forcat e Armatosura kanë treguar profesionalizëm dhe përkushtim të vazhdueshëm, duke arritur të jenë “në lartësinë e detyrës për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit”.
Presidenti Begaj vuri në dukje edhe rolin e Shqipërisë në misionet ndërkombëtare, duke u shprehur se pjesëmarrja e FARSH në operacionet e NATO-s, BE-së dhe OKB-së e bën vendin “krenar dhe kontribuues me vlera në sigurinë kolektive”.




