Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, do të zhvillojë një takim me mërgatën shqiptare në Zvicër më 14 dhjetor. LDK njofton se Abdixhiku do të takohet me “njerëzit që çdo ditë e mbajnë gjallë lidhjen me Kosovën me punë, përkushtim dhe dashuri”.
Sipas njoftimit, ky takim do të shërbejë si një mundësi e hapur për diskutim rreth programit qeverisës të LDK-së, vizionit zhvillimor të partisë dhe projekteve që, siç thuhet, synojnë ta çojnë Kosovën drejt standardeve që vendi i meriton.
“Ju ftojmë të jeni pjesë e këtij takimi, të ndajmë bashkë idetë, shqetësimet dhe shpresën për një Kosovë më të mirë. Zgjidh Shpresën. Zgjedh LDK-në”, thuhet në njoftimin e partisë.
Ky takim vjen në kuadër të aktiviteteve të intensifikuara të LDK-së në prag të zgjedhjeve, me fokus të veçantë te mërgata, e cila prej vitesh konsiderohet një forcë e rëndësishme ekonomike dhe politike për vendin.




