Ish-deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në krye me Albin Kurtin për mosmbështetje ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas Tahirit, Kryeministri mund të përpiqet të pengojë financimin e mbrojtjes së tyre, por nuk mund të ndalë lirimin e çlirimtarëve që sollën lirinë për popullin e Kosovës.
Ai thekson se mbështetja për heronjtë e luftës do të vazhdojë, duke shtuar se shumëkush kishte besuar se qeveria e Kurtit do t’u dilte në krah Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij, por në vend të kësaj, zgjodhi heshtjen dhe indiferencën.
Tahiri nënvizon se protestat dhe mbështetja për ish-çlirimtarët do të vazhdojnë deri në lirinë e tyre të plotë. Ai e shoqëron mesazhin e tij edhe me një video ku bën thirrje për kujdes para zgjedhjeve dhe për respekt ndaj kontributit të heronjve të luftës.




