Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndodhen në nivelin më të ulët të mundshëm, pas vendimit të qeverisë amerikane për të ndërprerë dialogun strategjik me Kosovën.
Hoti tha se ky vendim erdhi si pasojë e veprimeve të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti dhe se ndërprerja e dialogut strategjik përbën mesazhin më të rëndë që mund t’i dërgohet Kosovës nga SHBA-të.
Sipas tij, hapi i vetëm që ka mbetur pa u ndërmarrë është tërheqja e Ambasadës amerikane nga Prishtina. “Mesazhi tjetër është veç me ta tërheq Ambasadën, s’ka më tjetër”, u shpreh Hoti në emisionin Euro n’7, duke e cilësuar situatën si të pakuptueshme dhe me kosto të mëdha politike e ekonomike për vendin.




