Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e mbylli tubimin vjetor të partisë së saj në Romë me thirrje për mbrojtjen e arritjeve të qeverisë, por edhe me një apel të drejtpërdrejtë drejtuar Europës për forcimin e aftësive mbrojtëse. Ajo theksoi se administrata e Donald Trump po dërgon sinjale për një ndryshim të strategjisë së sigurisë dhe një tërheqje të mundshme nga angazhimet në kontinentin europian.
Nga Castel Sant’Angelo, Meloni deklaroi se Trump ka bërë të qartë synimin e SHBA-ve për t’u shkëputur nga Europa, duke shtuar se europianët duhet të përgatiten për të mbrojtur veten. Ajo vlerësoi se për dekada Europa ia ka deleguar sigurinë Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se liria ka një çmim.
Komentet e saj vijnë në kohën e tensioneve mes BE-së dhe administratës Trump. Megjithatë, Meloni mohoi se ka një krisje në marrëdhëniet BE-SHBA, duke ritheksuar nevojën për një strukturë më të fortë mbrojtëse europiane, të aftë të veprojë në mënyrë të barabartë me fuqitë globale.




