Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka hequr ndalesën e importit nga Republika e Shqipërisë për kafshët e gjalla dhe shpezët. Sipas AUV-it, bazuar në raportet zyrtare të ADIS dhe WOAH, në territorin e Shqipërisë nuk janë më të pranishme sëmundjet PPR – Mortaja e dhenve dhe dhive, si dhe Avian Influenza (gripi i shpezëve) me patogjenitet të lartë HPAI-H5N1.
Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, tashmë lejohet importi i deleve dhe dhive të gjalla dhe produkteve të tyre, si dhe i shpezëve të gjalla dhe produkteve të shpezëve që vijnë nga Shqipëria. AUV ka bërë të ditur se vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë.




