Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar nevojën që Bashkimi Evropian të përgatitet për një luftë hibride moderne, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes dhe sigurisë evropiane. Fjalimi u mbajt gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian.
“Evropa duhet të jetë përgjegjëse për sigurinë e vet. Ky nuk është më një opsion, është një domosdoshmëri. Ne i dimë kërcënimet me të cilat përballemi dhe duhet të jemi të gatshëm,” tha Von der Leyen. Ajo shtoi se BE-ja po transformon bazën e saj industriale të mbrojtjes për të siguruar teknologji të avancuar dhe prodhim të shpejtë masiv të pajisjeve ushtarake.
Presidentja e KE theksoi gjithashtu rritjen e investimeve: “Gjatë 10 viteve të fundit, kemi investuar 8 miliardë euro në fondin e mbrojtjes. Këtë vit, mundësuam 800 miliardë euro investime deri në vitin 2030.” Sipas saj, rritja e investimeve nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen, por edhe me lirinë, prosperitetin dhe pavarësinë e Evropës.




