Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar padinë e E.Sh. kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke shpallur të paligjshme disa nene të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 që parashikonin detyrimin e pensionistëve për të lajmëruar statusin e tyre dhe ndalimin e pensionit si pasojë e moslajmërimit.
Supremja vendosi se përgjegjësia për verifikimin e statusit të jetës së pensionistëve i takon institucioneve shtetërore dhe jo qytetarëve. Ligji ka paraparë mekanizëm aktiv të monitorimit nga Ministria, ndërsa aktet nënligjore nuk mund të krijojnë pasoja materiale ndaj të drejtave të qytetarëve. Gjykata theksoi se suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit dhe jo e para, duke mbrojtur kështu të drejtat e pensionistëve dhe sigurinë juridike të tyre.




