Sindikata e Re e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (SRKEK) ka njoftuar për një mobilizim të fuqishëm të punëtorëve në Termocentralin Kosova B, në kuadër të paralajmërimit për protestë për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre.
Sipas sindikatës, punëtorët janë ngritur bashkë, me vendosmëri dhe dinjitet, duke dhënë një mesazh të qartë se zëri i punëtorit nuk mund të injorohet. SRKEK thekson se kërkesat e paraqitura janë të drejta dhe të ligjshme, ndërsa bashkimi i punëtorëve shihet si forca kryesore për arritjen e tyre.
Në njoftim theksohet se pa punëtorë nuk mund të ketë prodhim të energjisë, duke nënvizuar rëndësinë e rolit të tyre në sistemin energjetik të vendit. Sindikata shton se sindikalizmi i vërtetë qëndron në krah të punëtorit dhe se veprimet sindikale do të vazhdojnë deri në realizimin e plotë të kërkesave.
SRKEK ka bërë të ditur se mobilizimi dhe protestat janë pjesë e një serie veprimesh sindikale, ndërsa nuk përjashtohet as përshkallëzimi i tyre nëse institucionet përkatëse vazhdojnë të mos i marrin parasysh kërkesat e punëtorëve.





