I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell, ka reaguar në rrjetin social “X” lidhur me vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Hagë.
Grenell ka deklaruar se Rama ka të drejtë, duke theksuar se ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, po bëhet një padrejtësi. Ai e ka quajtur Jack Smith “një turp”, duke shtuar se evropianët po lejojnë vazhdimin e kësaj padrejtësie.
“Aleati i NATO-s dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e hedh poshtë çështjen ligjore të Jack Smith kundër ish-presidentit Thaçi në Hagë – dhe i turpëron evropianët që lejojnë që padrejtësia të vazhdojë. Jack Smith është një turp. Rama ka të drejtë”, ka shkruar Grenell.
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar të enjten në Hagë, ku ka takuar ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale.




