Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të fillojnë të publikohen para orës 20:00 të dielën, më 28 dhjetor. Ai tha se rezultatet do të përditësohen vendvotim pas vendvotimi, menjëherë pas numërimit të fletëvotimeve.
Elezi sqaroi se numërimi i votave për subjektet politike bëhet në vendvotime pas mbylljes së procesit të votimit, ndërsa votat për kandidatët për deputetë numërohen në Qendrat Komunale të Numërimit.
Gjatë ditës së zgjedhjeve, KQZ do të publikojë periodikisht edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve. Ai shtoi se softueri për transmetimin e rezultateve është zhvilluar me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.




