Ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu, ka deklaruar se Kosova duhet të ndërtojë një partneritet të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara për të avancuar në procesin e anëtarësimit në NATO. Ai sugjeroi angazhimin e oficerëve amerikanë me përvojë të lartë, si ish-komandantët e NATO-s, për të mbështetur politikat e Kosovës në këtë drejtim.
“Duhet që Kosova të ndërtojë një raport të fortë në Washington, jo vetëm përmes përfaqësisë diplomatike. Po të isha ministër i Mbrojtjes së Kosovës sot, do të kërkoja bashkëpunim me një gjeneral me katër yje, ish-komandant super i NATO-s, që të mbrojnë dhe promovojnë politikat e Kosovës për anëtarësim në NATO,” tha Mediu në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai shtoi se presidenti amerikan Donald Trump ka interes politik dhe gjeopolitik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, ndërsa sipas tij, interesi ushtarak i SHBA-së nuk është kaq i drejtpërdrejtë. “Nga pikëpamja politike në rajon, Kosova është një nga faktorët më të rëndësishëm,” theksoi Mediu.




