Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk pranon asnjëherë krijimin e ekuivalencës morale mes krimeve të kryera nga Serbia dhe regjimi i Sllobodan Millosheviçit në Kosovë dhe rasteve të izoluara individuale.
Në një intervistë në emisionin “Nerv”, Osmani theksoi se qëndrimi i saj është i qartë dhe i palëkundur. Ajo riafirmoi besimin e fuqishëm në luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se do ta mbrojë atë deri në fund.
Presidentja Osmani foli edhe për arritjet gjatë mandatit të saj, duke veçuar rikonfirmimin e njohjeve të Kosovës nga shtete për të cilat Serbia kishte pretenduar se kishin tërhequr njohjen. Sipas saj, ky proces ka kërkuar angazhim të madh institucional dhe diplomatik nga Presidenca.




