Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot figurat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës si dhe Kadri Zekës, në përvjetorin e vrasjes së tyre, të kryer nga shërbimet sekrete jugosllave në Stuttgart, Gjermani, pas demonstratave të vitit 1981.
Kurti ka theksuar se veprimtarët patriotë nuk ishin vetëm udhëheqës politikë, por edhe aktivistë, krijues, gazetarë dhe intelektualë, dhe se humbja e tyre shënoi një plagë të thellë për kulturën dhe idealet e lirisë së Kosovës.
Sot, kryeministri vizitoi Dubovikun e Deçanit, ku bëri homazhe dhe u prit nga Donika Gërvalla, Ministre në detyrë e Punëve të Jashtme, si dhe nga familja e Kadri Zekës. Ai ka theksuar se zbardhja e plotë e rrethanave të vrasjeve, përfshirë identifikimin e urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve, është e domosdoshme për drejtësinë.
“Lavdi Jusufit, Bardhoshit, Kadriut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar,” ka shkruar Kurti, duke nderuar përkushtimin dhe sakrificën e tyre.




