Sot, më 19 janar, në Gjykatën Speciale në Hagë pritet të dorëzohen dosjet përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Dosjet do të paraqiten nga Prokuroria, përfaqësuesi ligjor i viktimave si dhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, duke iu dorëzuar trupit gjykues.
Pas kësaj faze, procesi hyn në etapën e fjalëve përfundimtare, të cilat janë planifikuar të mbahen në periudhën nga 9 deri më 18 shkurt. Me përfundimin e tyre, procedura gjyqësore do të konsiderohet zyrtarisht e mbyllur në këtë fazë.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, pa pasur mundësi lirimi gjatë këtij procesi. Trupi gjykues do të ketë në dispozicion një afat prej tre muajsh për shpalljen e vendimit të shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj shtesë.




