Pas homazheve tek varri i tij, Lidhja Demokratike e Kosovës organizoi një Akademi Përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Akademia u zhvillua në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, nën përkujdesjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Gjatë ngjarjes u kujtua figura dhe kontributi i Rugovës si ati themeltar i Republikës së Kosovës, si dhe roli i tij në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit. Në aktivitet morën pjesë anëtarë të LDK-së, personalitete politike, akademike dhe qytetarë të shumtë.




