Kosova ka marrë një skaner të ri në pikën kufitare të Merdarës, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili synon të përforcojë kontrollet e mallrave dhe të përshpejtojë qarkullimin tregtar.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se pajisja është tejet e nevojshme për sigurinë e hyrje-daljeve të mallrave, ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e vlerësoi si një avancim të rëndësishëm teknologjik dhe si dëshmi të partneritetit të fuqishëm Kosovë-SHBA.
Anu Prattipati, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, theksoi se skaneri do të ndihmojë Doganën e Kosovës të parandalojë kontrabandën, të reduktojë kohën e pritjes dhe të sigurojë një tregti të ligjshme pa pengesa. Pajisja konsiderohet një hap kyç për forcimin e sigurisë kufitare dhe stabilitetit të vendit.




