Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka sqaruar se nuk ka qenë e përfshirë në vendimmarrjen për organizimin e ligjeratës mbi Gjykatën Speciale në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda”.
Sipas informatave të shkollës, aktiviteti u organizua nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), me miratimin e Këshillit Drejtues të Shkollës, por pa autorizimin personal të drejtorisë dhe pa miratimin e institucionit të arsimit në kryeqytet.
Drejtoria e Arsimit shpreh indinjatën për mënyrën e veprimit dhe njofton se do të merren masa ndaj personave përgjegjës, si dhe do të shqyrtohet roli i organizatës në trajtimin e kësaj teme me nxënësit.
Institucioni thekson se transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale janë parime të panegociueshme, veçanërisht për nxënësit dhe ambientet shkollore.




