Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Selam Hajrizi, ka kërkuar që kandidatët për deputetë dhe të gjithë të përfshirët në manipulimin e votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit të marrin përgjegjësi, duke theksuar se ligji duhet të veprojë pa dallim. Ai ka shtuar se hetimet duhet të shkojnë përtej komisionerëve dhe të zbardhin ndërhyrjet brendapartiake në procesin zgjedhor.
Në një intervistë për FIVE të TV Dukagjinit, Hajrizi tha:
“Do të ishte mirë që të gjithë deputetët të marrin përgjegjësi. I kemi dëgjuar të thonë që nuk jemi pjesë e një aspekti të tillë… këtu do e shoh që kryeprokurori Kryeziu, një prokuror i ri i Prizrenit që duket të jetë i guximshëm, duhet ta bëjë punën e tij. Ligji duhet të jetë mbi të gjithë. Të gjithë marrin përgjegjësinë e duhur. Edhe deputetët do të ishte mirë të marrin përgjegjësinë dhe të tregojnë të vërtetën se çka ka ndodhur.”
Ndërkohë, Prokuroria ka konfirmuar se rreth 20 komisionerë nga të gjitha partitë parlamentare ndodhen në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa hetimet janë zgjeruar nëpër komuna të ndryshme të vendit.
Procesi i rinumërimit po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku deri më tani janë rinumëruar rreth 77% e vendvotimeve. KQZ ka bërë të ditur se rinumërimi pritet të përfundojë deri në fund të muajit, ndërsa certifikimi i zgjedhjeve do të varet nga afatet ligjore për ankesa.




