Gjykata Speciale ka bërë të ditur se fillimi i gjykimit në procesin e dytë në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve është shtyrë për datën 27 shkurt 2026. Fillimisht, seanca ishte planifikuar të niste më 24 shkurt, por pas një kërkese të Mbrojtjes së Thaçit, gjykatësi i vetëm Kristofer Gosnell e ka miratuar pjesërisht atë dhe ka vendosur shtyrjen e afatit.
Në këtë proces janë të përfshirë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Sipas njoftimit të Gjykatës, në fazën fillestare të gjykimit pritet të paraqiten tre dëshmitarë, ndërsa Prokuroria tashmë ka zbuluar natyrën dhe përmbajtjen e dëshmive të tyre. Ky është rasti i dytë gjyqësor ndaj Thaçit që zhvillohet në Hagë.




