Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Sërgjan Lazoviq për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 12 vjet e 6 muaj burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 3 shkurt 2026.
Sipas vendimit të trupit gjykues, Lazoviq është shpallur fajtor për arrestime, keqtrajtime fizike dhe psikike, si dhe plaçkitje të pasurisë së banorëve shqiptarë në fshatin Panorc të Malishevës gjatë periudhës 1998–1999, kur rreth 500 qytetarë civilë u privuan nga liria dhe u maltretuan, edhe pse nuk ishin të përfshirë në konflikt.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 19 nëntor 2024, duke e akuzuar për veprime të kryera në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me qëllim frikësimin dhe dëbimin masiv të popullsisë civile.
Gjykata theksoi se dënimi është në përputhje me ligjin dhe shërben si mesazh për përgjegjësinë për krimet ndaj civilëve.




