Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuara dy ankesat e kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu.
Ankesa e parë kishte të bënte me zbatimin e kuotës gjinore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Haxhiu kishte pretenduar se kuota është aplikuar në mënyrë automatike, duke cenuar barazinë e votës dhe renditjen reale të kandidatëve sipas votave të fituara. PZAP vlerësoi se KQZ ka vepruar në përputhje me ligjin, duke respektuar kërkesën për përfaqësim minimal prej 30 për qind të gjinisë së kundërt, andaj vendimi është konsideruar i drejtë dhe i ligjshëm.
Ankesa e dytë lidhej me votat me postë, përkatësisht kërkesën që të anuloheshin fletëvotimet e pranuara pas datës 29 dhjetor 2025 dhe të përfshira në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.
Edhe kjo ankesë u refuzua, me arsyetimin se pretendimet nuk janë mbështetur me prova bindëse dhe se afatet për pranimin e votave me postë ishin miratuar nga të gjithë anëtarët e KQZ-së, pa u kontestuar brenda afatit ligjor.
PZAP theksoi se vendimet përkatëse kanë qenë të vlefshme dhe se procesi i pranimit dhe numërimit të votave me postë është zhvilluar në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara.




