Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka deklaruar se shkarkimi i saj nga Presidentja Vjosa Osmani ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ka cenuar pavarësinë e KQZ-së.
Sipas Dakës, zhvillimet e fundit rreth procesit zgjedhor tregojnë, sipas saj, se qëllimi i këtij vendimi ka qenë dobësimi i institucionit zgjedhor. Ajo theksoi se arsyet e shkarkimit të saj nuk janë bërë kurrë të qarta dhe se vetëm presidentja dhe rrethi i saj i ngushtë e dinë motivin real të këtij veprimi.
Daka ka shtuar se KQZ-ja është institucion i pavarur kushtetues dhe se shkarkimi i kryetarit të saj mund të bëhet vetëm në përputhje me procedurat kushtetuese, gjë që, sipas saj, nuk ka ndodhur në rastin e saj.
Ajo sqaroi se marrëdhëniet me Presidenten Osmani kanë qenë strikt zyrtare dhe se komunikimi mes tyre ka pasur të bëjë vetëm me çështje që lidhen me proceset zgjedhore.
Valdete Daka u shkarkua nga posti i kryetares së KQZ-së më 14 qershor 2021, me arsyetimin se gjatë zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit kishte cenuar pavarësinë dhe integritetin e këtij institucioni.




