Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike raportet financiare të subjekteve politike parlamentare për tremujorin e fundit të vitit 2025, bazuar në përbërjen e Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Sipas këtyre raporteve, Lëvizja Vetëvendosje ka raportuar shpenzime në vlerë prej mbi 1.26 milionë euro për periudhën tetor–dhjetor 2025, ndërsa buxheti i miratuar për këtë periudhë ishte rreth 551 mijë euro, çka përbën një tejkalim prej më shumë se 700 mijë euro.
Partia Demokratike e Kosovës ka shpenzuar rreth 281 mijë euro, shifër kjo afërsisht e barabartë me buxhetin e saj të planifikuar për këtë tremujor.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar shpenzime prej rreth 225 mijë euro, duke mbetur pak nën kufirin e buxhetit të lejuar.Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpenzuar rreth 70 mijë euro, gjithashtu më pak se shuma e parashikuar në buxhet.
Raportet financiare janë publikuar nga KQZ në kuadër të transparencës për financimin e subjekteve politike.




