Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime institucionale pas arrestimit të shtetasit kosovar dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Mithat Llozhani, në pikën kufitare Batrovci, Serbi.
Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kërkuar sqarime zyrtare për rastin dhe arsye konkrete të ndalimit, duke informuar gjithashtu Bashkimin Evropian dhe misionet diplomatike të vendeve të Quint-it për angazhim ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së Llozhanit.
Ambasadori kosovar në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe po kërkohet leja për vizitë ndaj tij. MPJD bën thirrje që Bashkësia Ndërkombëtare të ushtrojë presion ndaj autoriteteve serbe për të respektuar të drejtat e njeriut.




