Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, dhe drejtori i Sekretariatit të KGjK-së, Shkëlzen Maliqi, po qëndrojnë në Turqi për vizitë zyrtare në kuadër të Programit Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë.
Gjatë qëndrimit në Ankara, delegacioni kosovar zhvilloi takime me institucione të larta gjyqësore dhe ekzekutive të Turqisë, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën e Kasacionit, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Shtetit.
Takimet fokusuan forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sistemeve të drejtësisë, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e sundimit të ligjit.
Në vizitë po marrin pjesë edhe gjyqtarë të rinj kosovarë, pjesë e Programit Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë, për të avancuar kapacitetet profesionale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.




