Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në Komunën e Rahovecit.
Sipas njoftimit, në kuadër të hetimeve janë intervistuar gjithsej 17 kryesues të qendrave të votimit.
“Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’ nga neni 216, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, nëntë kryesues janë ndaluar për 48 orë. Ndaj tyre është paraqitur kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të të gjitha veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.




