Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e parë, një ditë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të saj.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi se sot do të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe do të riprocedohet Projektligji i Buxhetit në Kuvend.
Kurti tha se nga nesër do të nisë dialogu me partitë politike për çështjen e presidentit.
Ai theksoi se ky kabinet ka potencialin të jetë më i miri deri tani, duke u bazuar në përvojën dhe ekspertizën e mëparshme.
Për buxhetin, Kurti bëri të ditur se ai arrin në 4 miliardë euro, përfshin pagën e 13-të dhe shtesën për përvojën e punës, si dhe parashikon 867 milionë euro për komunat.




