Sot, nxënësit vazhduan mësimin e skijimit me fokus në teknikën e pllugut dhe ndaljen, dy elemente thelbësore për kontrollin dhe sigurinë në pistë.
Nën udhëheqjen e instruktorëve nga Federata Skitare e Kosovës, ata avancuan gradualisht në praktikë, duke fituar më shumë vetëbesim dhe stabilitet gjatë skijimit.
Pas aktiviteteve në pistë, programi u pasurua edhe me aktivitete jashtëkurrikulare, ku nxënësit morën pjesë në gara pingpongut, duke kombinuar zhvillimin fizik me atë mendor dhe social.
Ashtu si edhe në vitet e kaluara, përmes këtij programi po promovohet edhe Parku Kombëtar Sharri dhe zona turistike e Brezovicës, në bashkëpunim dhe koordinim me AMMK, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të sporteve dimërore në harmoni me mjedisin.
Programi “Drejt Malit” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrinë e Shëndetësisë, dhe zbatohet nga Federata e Sportit Shkollor e Republikës së Kosovës.





