Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka pritur në takim një delegacion të Ministrisë Federale për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Gjermanisë.
Gjatë takimit u diskutua për rolin e punës si themel i mirëqenies shoqërore, zbatimin efektiv të legjislacionit të punës dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së punëtorëve. Palët theksuan rëndësinë e dialogut social si shtyllë e stabilitetit institucional dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe avancimi i marrëveshjeve kolektive, fuqizimi i inspektimit të punës dhe përfshirja aktive e partnerëve socialë në hartimin e politikave publike.
Hykolli theksoi se punëtori duhet të jetë në qendër të çdo politike zhvillimore, duke nënvizuar sfidat me të cilat përballet tregu i punës në Kosovë, si papunësia, informaliteti, presioni mbi pagat dhe rritja e kostos së jetesës.
Delegacioni gjerman vlerësoi rolin e BSPK-së si partner kyç në proceset e politikave sociale dhe të punës, duke theksuar rëndësinë e një dialogu social të strukturuar dhe të qëndrueshëm.




