Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë, deklaroi se ai dhe të tjerët po përballen padrejtësisht me akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Krasniqi tha se aktakuza është ndërtuar mbi narrativa që, sipas tij, nuk përfaqësojnë të vërtetën dhe se atij i janë atribuar role dhe përgjegjësi që nuk i ka pasur. Ai theksoi se drejtësia duhet të mbështetet në prova të besueshme dhe jo në interpretime të njëanshme, duke shtuar se dëshmitë e paraqitura në gjykatë, sipas tij, kanë konfirmuar se ai nuk ka ushtruar funksionet që i atribuohen.
Ai nënvizoi se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte reagim ndaj krimeve të kryera ndaj shqiptarëve dhe se pa mbështetjen ndërkombëtare, por edhe pa rezistencën e brendshme, liria nuk do të ishte arritur.
Në përfundim të fjalës së tij, Krasniqi theksoi se lufta e shqiptarëve kishte për qëllim lirinë dhe pavarësinë, jo shkatërrimin apo hakmarrjen. Ai kërkoi nga trupi gjykues që të shqyrtojë me paanshmëri çdo provë dhe e mbylli deklarimin duke kërkuar drejtësi.




