Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, së bashku me delegacionin e tij. Vizita u zhvillua një ditë pas shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me ç’rast Nimanbegu e uroi Kurtin për festën.
Gjatë takimit, Kurti theksoi se Dita e Pavarësisë është festë e të gjithë shqiptarëve, duke përmendur kontributin e shqiptarëve nga rajoni dhe diaspora në rrugëtimin drejt lirisë dhe shtetësisë.
Palët diskutuan për zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në të mirë të qytetarëve.
Kryeministri falënderoi Nimanbegun për vizitën dhe shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit në funksion të zhvillimit dhe mirëqenies së shqiptarëve në Malin e Zi.
Në fund të takimit, Nimanbegu i dhuroi Kurtit një maket artizanal të një anijeje tradicionale ulqinake me vela, punuar nga mjeshtri Xhevat Kashoxha.




