Procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka hyrë në një fazë vendimtare pas përfundimit të deklarimeve përfundimtare, ndërsa mbrojtja është shprehur optimiste për epilogun e çështjes.
Avokati i Thaçit, Luka Mišetić, pas mbylljes së kësaj faze, e cilësoi procesin si një betejë të gjatë në sallën e gjyqit dhe tha se ekzistojnë arsye për optimizëm.
Sipas tij, ndonëse rezultati përfundimtar varet nga vendimi i gjyqtarëve, mbrojtja beson se argumentet e paraqitura gjatë ditëve të fundit mbështeten si në prova ashtu edhe në ligj.
Ai theksoi se, bazuar në atë që është dëgjuar gjatë seancave, pret një rezultat pozitiv, duke shtuar se parashikimet në procese gjyqësore janë gjithmonë të vështira.
Mišetić foli gjithashtu për kontekstin ndërkombëtar të periudhës 1998–1999, duke nënvizuar se Kosova ishte një nga çështjet kryesore të politikës së jashtme në atë kohë dhe se ekzistonte një sasi e madhe informacioni të mbledhur nga institucione diplomatike, agjenci të inteligjencës dhe media.
Sipas tij, nuk kishte mungesë informacioni lidhur me zhvillimet e asaj periudhe./EO/




