Nën emocione, pjesëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ndoqën fjalimet e fundit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL-UÇK-së, e cilësoi këtë si një përballje dinjitoze me të vërtetën, duke theksuar se fjalimet ishin një dëshmi e angazhimit atdhetar dhe qëndresës përballë një procesi gjyqësor të stërzgjatur.
Sopi për KosovaPress theksoi se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë burim në Beograd dhe janë të ndikuara nga qarqe që historikisht kanë kundërshtuar Luftën Çlirimtare të Kosovës. Ai shprehu besim se, pavarësisht padrejtësive, ata kanë besim në drejtësi dhe kërkuan që vendimet të merren vetëm në bazë të fakteve.
Ai vlerësoi paraqitjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit, duke theksuar se ata argumentuan qëndrimet e tyre me krenari dhe besim të plotë në luftën e drejtë të UÇK-së.
Sopi është i bindur se trupi gjykues tashmë ka të qartë të gjithë procesin dhe shprehu pritjet për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se ata janë meritorët kryesorë për lirinë që gëzojmë sot.




