Në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ka dëshmuar Arjeta Saraqi, aktualisht menaxhere për planifikim strategjik në KEK dhe ish-shefe e kabinetit të tij.
Gjatë seancës, ajo deklaroi se me Isuf Zejnën ishte njohur kur Krasniqit i kishte ardhur një ftesë nga policia, me ç’rast ishte përgatitur një autorizim që Zejna t’i përgjigjej shkresës zyrtare. Ajo u përgjigj në pyetjet e prokurores së rastit, Firkije Fejzullahu.
Saraqi foli edhe për angazhimin e një konsulenti ligjor në vitin 2023, duke thënë se kërkesa kishte ardhur nga vetë Krasniqi dhe se vlera e paraparë e kontratës, sipas kujtesës së saj, ishte rreth 60 mijë euro.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Krasniqi, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohen për dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë rreth 37 milionë euro. Krasniqi dhe Dragusha ngarkohen me “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ndërsa Zejna për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale”. Krasniqi fillimisht akuzohej edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, por kjo pikë është hedhur poshtë dhe është rikualifikuar.
Gjykata Themelore kishte aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e një pjese të aktakuzës, ndërsa Gjykata e Apelit e ka konfirmuar pjesën tjetër, duke vendosur vazhdimin e procedurës penale.
Në seancën fillestare, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa Dragusha ka pranuar fajësinë pas marrëveshjes me prokurorinë.




