Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka refuzuar importin e një sasie prej 21,280 kilogramësh koncentrat për pije (lëng portokalli – 65 përzierje aseptike konvencionale), pasi është konstatuar se produkti kishte afat të skaduar.
Ngarkesa ishte eksportuar nga kompania Prodalim BV me seli në Rotterdam, Holandë, dhe ishte destinuar për import në Kosovë nga kompania Laberion SH.P.K. me seli në Podujevë.
Pas verifikimit të dokumentacionit dhe kontrollit fizik të realizuar nga Inspektorati Fito Sanitar, është konstatuar se produkti nuk i përmbushte kushtet ligjore për tregtim, për shkak të skadimit të afatit. Si rrjedhojë, është ndaluar hyrja e tij në territorin e Republikës së Kosovës.
Ky veprim është ndërmarrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore, i cili ndalon qarkullimin e produkteve me afat të skaduar, pasi ato paraqesin rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes AUV-së, mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të zinxhirit ushqimor, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Kosovë.




