Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se takimi i parë ndërministror në mandatin e ri ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt hartimit të Projektligjit për Industrinë e Mbrojtjes.
Sipas tij, në bashkëpunim me ministren Mimoza Kusari është diskutuar koncepti, struktura dhe organizimi që synojnë transformimin e industrisë së mbrojtjes në vend.
Maqedonci bëri të ditur se në ditët në vijim grupi punues do të finalizojë koncept-dokumentin dhe do të hartojë draftligjin, me synim krijimin e një industrie të qëndrueshme që do të shërbejë si motor i inovacionit dhe sigurisë kombëtare.




